Historia

Për neHistoria

Fillimet e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik (NQP) Shkup, datojnë nga viti 1947. Tre vjet pas çlirimit të Shkupit, në një kohë kur autoritetet popullore filluan të organizojnë jetën në kryeqytet, me Vendimin e Komitetit Ekzekutiv Popullor të Qytetit, më 11 korrik 1947, u mor vendimi për themelimin e ndërmarrjes së transportit urban. Ndërmarrja u regjistrua në regjistrin gjyqësor më 17 janar 1948, me emrin Ndërmarrja Urbane e Transportit me Autobusë. NQP, Shkup feston ditëlindjen e saj në ditën kur është regjistruar në regjistrin gjyqësor.

Transporti i pasagjerëve është detyrë e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik si transportues publik. Në arkivat e ndërmarrjes është shënuar se gjithçka filloi me transportin e pasagjerëve në një linjë, me pesë automjete të vjetra të konfiskuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Linja e parë dhe e vetme në atë kohë me numër 2, kishte gjatësi prej 6 kilometrash, duke filluar nga “Kumanovska Trosharina”, nëpërmjet rrugës “Bregallniçka”, Shëtitorja “13 Nëntori”, “Dimitar Vllahov”, “Ilinden” dhe përfundonte te Parku i Qytetit. Shpejt u hap edhe linja me numër 3 nga lagjja Autokomanda deri në lagjen Vodno, dhe në vitin 1956 u hapën 9 linja të reja me gjatësi të përgjithshme prej 86 kilometrash.

Autobusët e parë ishin të markave “RENO”, “ŠKODA”, “KLOKNER”, “ŠTAER”, dhe më vonë edhe “KRUP” dhe “FIAT”. Blerja e parë e madhe e autobusëve u realizua në vitin 1949, kur u blenë 10 autobusët e parë francezë të markës “RENO”, të cilët u përdorën deri në vitin 1957.

Ndërkohë, në vitin 1953 blihen autobusët e parë dykatësh nga marka angleze “AEC”, të cilët ishin atraksion i vërtetë për qytetin e Shkupit, dhe në vitin 1962, në atë kohë NUTA (NQP) kishte 59 automjete dhe numri i pasagjerëve të transportuar ishte gati 30 milionë dhe mbi 3 milionë kilometra të përshkuara.

Me rindërtimin e qytetit të Shkupit dhe ndërtimin e lagjeve të reja, hapen linja të reja dhe zgjerohet parku vozitës i ndërmarrjes. Në vazhdimsi, vit pas viti blihen autobusë të rinj, dhe kështu në vitin 1980 NQP Shkup arrin në numrin total prej 300 autobusësh. Në periudhën deri në vitin 1989, NQP Shkup, funksionon si transportuesi i vetëm në kryeqytet.

Ndërmarrja mbulon qytetin e Shkupit dhe zonën përreth me linja urbane dhe ndërurbane – ditë e natë. Shifrat e sotme janë mbresëlënëse. Në nivel vjetor, autobusët e NQP Shkup përshkojnë 15.5 milionë kilometra, duke transportuar mbi 50 milionë pasagjerë. Qytetarët merren nga 496 ndalesa urbane dhe 505 ndalesa ndërurbane, të cilat sipas nevojave janë të shpërndara në 36 linja urbane dhe 42 linja ndërurbane. Ka në dispozicion dy auto-baza që janë vendosur në skajet e kundërta të qytetit, të cilat i shërbejnë një numrit të barabartë automjetesh dhe që praktikisht përfaqësojnë zemrën e transportit publik.